U vra jashtë lokalit në SHBA, viktima kushëriri i Elvis Shkambit, kishte hapur GoFoundMe për të

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i 44-vjeçarit shqiptar Francesk Shkambi në shtetin e Michiganit, SHBA, gjatë mbrëmjes së së dielës. Siç rezulton nga të dhënat publike, ai ishte i afërm i Elvis Shkambit, 30-vjeçarit që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë, më 6 tetor.

Francesk Shkambi ishte personi që hapi pak javë më parë një fushatë GoFundMe për të mbledhur fonde në ndihmë të Elvis dhe Gjon Shkambit, duke u prezantuar si familjar i tyre. Fushata kërkonte mbështetje financiare për “mbrojtje ligjore profesionale dhe të pavarur”, ndërsa arriti të grumbullonte mbi 8000 dollarë, dhe më pas u mbyll pas raportimeve se po i vinte në ndihmë një vrasësi.

Mediat amerikane raportuan se vrasja ndodhi rreth orës 21:30 me orën lokale, të dielën, në verandën e restorantit Prime 7 në Commerce Toënship, ku Francesk Shkambi ishte menaxher dhe bashkëpronar. Ai u gjet i plagosur rëndë dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore, ndërroi jetë më pas në spital.

Rreth 20 minuta pas ngjarjes, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u paraqit vetë në polici dhe u arrestua pa rezistencë, ndërsa pranoi autorësinë e krimit. Hetuesit sekuestruan një pistoletë 9 mm që dyshohet të jetë arma e krimit, e raportuar më herët si e vjedhur.

Autoritetet amerikane thanë se viktima dhe autori e njihnin njëri-tjetrin dhe mes tyre kishte një konflikt të vazhdueshëm, por rrethanat e plota nuk janë bërë ende publike.

Stafi dhe familjarët e 44-vjeçarit e përshkruan atë si një njeri të qetë, punëtor dhe të dashur, ndërsa lajmi i vrasjes së tij ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin ku jetonte. Restoranti ku ai punonte njoftoi mbylljen e aktivitetit për shkak të tragjedisë.

Të Fundit