Një grua është gjobitur për kundërsulmin ndaj një burri që e sulmoi seksualisht.
Milica Živković hyri në gjykatë si viktimë, por gjykatësi e ndëshkoi për “tejkalim të nevojës së vetëmbrojtjes”. 24-vjeçarja po kthehej në shtëpi e shoqëruar nga një shoqe pasi kishin dalë në qytetin e Kolashinit në Mal të Zi kur vuri re se një burrë po i ndiqte.
Ai u përpoq t’iu fliste, por vajzat e injoruan dhe vazhduan rrugën e tyre. Por ajo që ndodhi më vonë e bëri Milica t’i frikësohej më të keqes.
“Më kapi nga mjekra… dhe më pas nga pjesët intime. Duke u vetëmbrojtur, e godita me grusht të mbyllur e më pas të hapur, teknika që i kam mësuar nga trajnimi 4-vjeçar në kickbox. Në momente të tilla, mundesh vetëm të mendosh më të keqen. Por luftova me sa kisha fuqi dhe e lashë pa ndjenja”.
Në gjykatë, Milica u gjobit me 82 Euro për “tejkalim të nevojës së vetëmbrojtjes” dhe “cenim të rregullit dhe qetësisë publike”. Personi që e sulmoi, një nënshtetas turk, pagoi 370 Euro për lirimin e tij nga burgu.
Ndëshkimi i saj është kritikuar nga disa organizata për të drejtat e grave në Malin e Zi. Kryeministri Dritan Abazoviç dha një deklaratë ku e cilësoi vendimin e gjykatës si “dëshpërues”.
“Më vjen keq që shembuj të tillë konfirmojmë sa të nevojshme janë ndryshjmet në sistemin gjyqësor. Por Milica nuk kishte frikë, por me guxim dhe qetësi mbrojti veten nga sulmuesi, i cili kishte epërsinë dhe u mposht”, u shpreh ai.
Milica ka apeluar vendimin e gjykatës për të vendosur në vend drejtësinë.