Ish-kryetari i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, i cili u shkarkua në vitin 2019 pas zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, ka fituar një proces gjyqësor ndaj institucioneve shtetërore. Sipas një vendimi të Gjykatës Administrative të Tiranës, shkarkimi i Kajmakut nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shpallur i padrejtë.
Si pasojë, Bashkia Vorë dhe Këshilli i Qarkut Tiranë janë detyruar të dëmshpërblejnë Kajmakun me të gjitha pagat e një mandati të plotë 4-vjeçar, pavarësisht se ai shërbeu vetëm 3 muaj në detyrë. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të paguajë kompensim moral prej 15 mijë euro për Kajmakun dhe nga 7 mijë euro për bashkëshorten dhe djalin e tij, për dëmin emocional që u është shkaktuar.
Kajmaku u shkarkua më 1 nëntor 2019, pasi Prokuroria e Përgjithshme zbuloi se gjatë qëndrimit në Greqi ai kishte përdorur emrin Jorgo Toto, i dënuar për falsifikim parash. Këtë informacion ai nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit, çka përbënte shkelje të ligjit.
Në atë kohë, kryeministri Edi Rama mbështeti vendimin e KQZ, duke theksuar se institucioni kishte treguar integritet në zbatimin e ligjit dhe se Partia Socialiste nuk mund të bëhej strehë për askënd që shkel ligjin.
“KQZ ka provuar sot përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje? Po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë”, tha Rama asokohe, përmes një postimi në Twitter.