U rrah brutalisht me leva dhe sëpatë, dëshmon 48-vjeçari: S’i njoha, ishin me maska

Adriatik Roshi, 48 vjeçari i cili u sulmua brutalisht në berberhanen në Tiranë, më 5 janar, ka dhënë dëshminë e tij përpara policisë.

Burime për media bëjnë me dije se në dëshminë e tij 48-vjeçari ka deklaruar se nuk ka njohur asnjë nga autorët që e kanë qëlluar me mjete të forta, për shkak se ata kanë qenë të maskuar.

Roshi ka theksuar se nuk ka konflikte me askënd, por kur është pyetur për një incident gjatë verës në Palasë, ai ka refuzuar të japë shpjegime të mëtejshme.

Policia po vazhdon kontrollet për katër personat e shpallur në kërkim, mes të cilëve është edhe Tur Koçeku, i cili dyshohet si porositësi i sulmit. Sipas të dhënave, Koçeku dyshohet të jetë aktualisht në Dubai dhe autoritetet shqiptare kanë nisur kontaktet me homologët atje.

Adriatik Roshi, 48 vjeç, vazhdon të trajtohet në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Megjithatë, mjekët raportojnë dëmtime të shumta në trup dhe nuk e përjashtojnë ende rrezikun për jetën.

Policia ka arrestuar Gani Koçekun dhe Ledio Tushën, ndërsa ka shpallur në kërkim Ronald Koçekun, Luçiano Koçekun, Dino Koçekun dhe Gëzim Koçekun.

Organizatori i dyshuar i këtij konflikti është biznesmeni Luçiano Koçeku, i njohur edhe me emrin Tur Koçeku.

Policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një armë gjahu, dy automjete dhe veshjet e përdorura nga autorët gjatë ngjarjes.

Një shishe shampanjë dyshohet të ketë qenë zanafilla e sherrit në resortin luksoz në gusht të vitit të shkuar, ku Adriatik Roshi dyshohet të jetë konfliktuar dhunshëm me Tur Koçekun, pamje që u bënë virale në rrjetet sociale.

Në reagimet zyrtare që bëri policia në atë kohë, nuk përmendet emri i Adriatik Roshit, pasi disa persona nuk arritën të identifikoheshin, por ngjarja e ndodhur më 5 janar në Tiranë dyshohet të jetë një shenjë hakmarrje për konfliktin në Palasë.

Të Fundit