U prangos dhe u dogj në makinë, trupi i gjetur në Greqi i përket 27-vjeçarit nga Tepelena

Mediat greke kanë zbuluar se trupi i gjetur i djegur brenda një makine të shkrumbuar në zonën e Skuaorës, në Viotia, i përket 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili, me origjinë nga Tepelena. Viktima ishte raportuar i zhdukur prej pasdites së 4 nëntorit.

Sipas raportimeve të “HuffPost Greece”, rezultatet e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tij, duke vulosur dyshimet e para të autoriteteve greke. I riu, baba i një fëmije dhe pa precedentë penalë, u gjet i djegur në sediljen e pasme të një makine, i prangosur dhe me duart e lidhura pas shpine.

Mjeti, një makinë e vjedhur në zonën e Glyfadës, kishte targa të falsifikuara, çka sipas hetuesve tregon për një krim të mirëorganizuar.

Hetuesit e policisë greke kanë gjetur pamje filmike nga kamerat e sigurisë në zonën e Vilia, Atikë, ku shihet Halili duke udhëtuar me makinën e tij pak para zhdukjes. Vetëm 10 minuta më vonë, kamerat kanë kapur makinën e vjedhur me targa të falsifikuara, atë në të cilën më vonë u gjet trupi i tij i karbonizuar.

Policia dyshon se 27-vjeçari kishte shkuar në atë zonë për t’u takuar me dikë, por ende nuk është përcaktuar vendi i saktë i ekzekutimit.

Nga mënyra e veprimit, përdorimi i një makine të vjedhur, targat false, prangosja e viktimës dhe djegia e trupit. hetuesit grekë mendojnë se bëhet fjalë për një ekzekutim profesional, që mund të lidhet me një “kontratë vdekjeje”. Sipas burimeve policore, autorët kanë pasur njohuri të mirë të zonës, pasi vendi ku u gjet makina është i izoluar dhe me një shteg të vetëm largimi, gjë që përjashton rastësinë.

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur motivet e krimit, ndërsa autoritetet po analizojnë të dhënat e telefonit të viktimës dhe dëshmitë e personave të afërt për të identifikuar personat me të cilët Halili ka pasur kontakt ditët e fundit para vdekjes tragjike.

Të Fundit