26-vjeçari nga Elbasani Kei Piu është arrestuar ditën e sotme, pasi mbeti i plagosur mbrëmjen e kaluar.
I riu është vënë në pranga, pasi gjatë marrjes në pyetje nuk ka treguar të vërtetën dhe mbi të rëndon akuza për pengim të zbulimit të së vërtetës.
Pasi ka marrë mjekim në qendrën spitalore Xhaferr Kongoli në Elbasan, i riu është shoqëruar për në rajonin e policisë ku dhe i janë vënë prangat. Kjo pasi gjatë dëshmisë së tij nuk ka treguar gjë për konfliktin, por ka thënë se është dëmtuar në palestër.
Kei Piu është një emër i njohur për Policinë e Shtetit pasi në vitin 2020 i ka shpëtuar një atentati me armë zjarri. Ai u qëllua me breshëri plumbash nga një fuoristradë në ecje, teksa udhëtonte me mjetin e tij tip ‘Range Rover’.
I riu, 23 vjeç në at kohë mbeti i plagosur vetëm në këmbë dhe u mbijetoi plagëve.
Në polici ai deklaroi se nuk e njihte autorin, por me zbardhjen e kamerave të sigurisë u zbulua se ai kishte debatuar me autorin pak orë para se t’i bëhej atentati.
Kei Piu ka qenë shoqëruar disa herë në polici edhe për lëndë narkotike.