Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga Ura e Mesit në Shkodër, të cilën e cilëson si një atraksion kulturor për turistët vendas dhe të huaj.
“Ura e Mesit në Shkodër, një nga atraksionet historike më të frekuentuara nga turistët, ju uroj ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Ura e Mesit, ndodhet 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë.
E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë.
Me gjatësi 108 metër, gjerësi 3.40 metër dhe me 13 harqe jo simetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.