U mor i pandehur, Meta reagon sërish: Procesi do shkrihet si akullorja në vapë

Ilir Meta ka reaguar sërish nga qelia pasditen e kësaj të marte pasi iu komunikua se është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Përmes rrjeteve sociale, Meta shprehet se marrja si i pandehur nga SPAK sipas tij është e orkestruar nga kryeministri Edi Rama dhe “se nuk ka asnjë episod të ri përveç fletërrufesë pa asnjë fakt apo provë penale”.

Meta shkruan se sipas tij ky proces do të shkrihet si akullorja në kulmin e vapës dhe thotë se Partia e Lirisë do të dalë shumë herë më e fortë nga kjo betejë sepse kauzat e saj janë interes ekzistencial kombëtar.

Reagimi i plotë i Metës:

“Të dashur qytetarë, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë!

Sot, siç e keni ndjekur nga mediat, por edhe nga sqarimi publik i avokatit tim të mirënjohur Kujtim Cakrani, fill pas farsës elektorale, siç edhe e prisja, m’u komunikua me urdhër të Edi Ramës, marrja si i pandehur.

Është e qartë se më shumë se 7 muaj pas rrëmbimit tim terrorist, si prelud i vetë terrorizmit elektoral të zhvilluar në publik dhe akoma më shumë në nëntokë, do të ndodhte pikërisht kjo që ndodhi sot.

Dua t’ju sqaroj se nuk ka asnjë episod të ri përveç fletërrufesë pa asnjë fakt apo provë penale, që u firmos me urdhër të Edi Ramës, jo thjesht për rrëmbimin tim politik dhe terrorizimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë së Lirisë, por edhe për rrëmbimin e vetë Partisë së Lirisë dhe të siglës së saj.

Kauzat e Partisë së Lirisë janë më të forta se asnjëherë ndaj pres me padurim nisjen e procesit të gjykimit, që ky proces të vërtetojë edhe njëherë se Ilir Meta në të gjithë jetën e tij publike ka qenë shembull i respektimit të ligjit dhe Kushtetutës.

Jam i bindur se ky proces i Ramaformës, i fabrikuar për vite të tëra, hetimi i së cilës ka nisur në dhjetor 2019, do të shkrihet si akullorja në kulmin e vapës.

Partia e Lirisë do të dalë shumë herë më e fortë nga kjo betejë sepse kauzat e saj janë interes ekzistencial kombëtar”, shkruan Ilir Meta në rrjete sociale.

Të Fundit