U miratua ligji për dënimin me vdekje të terroristëve, ministri izraelit feston me ëmbëlsira

Një video e ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, ka shkaktuar reagime të forta në Izrael.

Në pamje, lideri i ekstremit të djathtë shihet teksa ecën i entuziazmuar në korridoret e Knesset-it me një tabaka ëmbëlsirash, duke i ofruar kolegëve për të festuar miratimin në lexim të parë të ligjit që parashikon dënimin me vdekje për terroristët.

“Partia ‘Fuqia Hebraike’ është në rrugën e duhur për të bërë histori”, shkroi Ben Gvir në platformën X, duke publikuar edhe videon e festës. Projektligji, i propozuar nga deputetja Limor Son Har-Melech, u miratua mbrëmë me 39 vota pro dhe 16 kundër.

Ai parashikon dënimin me vdekje për ata që vrasin izraelitë “për arsye racizmi” dhe “me qëllim dëmtimin e shtetit të Izraelit dhe të rilindjes së popullit hebre në tokën e tij”.

Kundërshtarët e kanë cilësuar tekstin diskriminues, pasi sipas tyre do të zbatohet vetëm ndaj arabëve që vrasin hebrenj dhe jo ndaj terroristëve hebrenj.

Edhe pse dënimi me vdekje ekziston formalisht në Izrael, ai është zbatuar vetëm një herë, në vitin 1962, ndaj Adolf Eichmann-it, një nga arkitektët e Holokaustit.

 

Të Fundit