“U largova me forcë nga foltorja”, Shehaj: Garda lejoi Nokën, s’donin të flisja

Deputeti Agron Shehaj foli mbi përplasjen që kishte në parlament me Flamur Nokën duke u shprehur se Garda e Republikës së Shqipërisë lejoi që deputeti i opozitës të dhunohej brenda parlamentit.

“Garda e lejoi deputetin e opozitës Flamur Noka që të më largonte me dhunë nga foltorja. Nuk donin të më linin të flisja për skandalin e madh prej 1.3 miliard eurosh. Unë doja thjesht të flisja dhe është e paimagjinueshme që një gjë që se ka bërë asnjë mazhorancë këto 34 vite e bëri një tjetër deputet i opozitës ndaj kolegut të tij”, tha Shehaj.

Pyetje nga gazetarët: Shënon divorcin përfundimtar me PD?

“Kisha një raport që fatkeqësisht u prish. Mesa duket nuk ishin dakord që unë të bëja opozitën e vërtetë, të flisja për aferat e vërteta, një skandal i jashtëzakonshëm, 1.3 mld euro. Me kaq para mund të rriten pensionet, vendoset minimumi jetik. Ata vendosën që për këtë skandal të mos flitet. Rrugët tona ndahen”, tha Agron Shehaj.

Kujtojmë se këtë të enjte ndodhi një incident në parlament kur Flamur Noka ka shkuar te foltorja për të marrë fjalën, por atje ndodhej deputeti Shehaj i cili e kishte bllokuar atë dhe në këtë moment Noka e ka shtyrë Shehajn duke e larguar.

Noka: Largohu mos më detyro të flas më shumë.

Shehaj: Hapuni çuna, nuk ka nevojë këtu.

Noka: Mu hiq qafe, ik se po flas. Mu hiq, mu hiq. Mu hiq se po flas, o Gon mu hiq.

Shehaj: Largohu nga foltorja boll e bëre teatrin sot.

Noka: Kur të them mu largo, m’u largo.

Ndërkohë deputeti Agron Shehaj është përjashtuar nga seanca plenare gjatë kësaj të enjte. Përjashtimi i tij u bë pasi bllokoi foltoren për disa minuta ndërkohë që kryeparlamentarja Elisa Spiroplai i kishte dhënë fjalën deputetit Sali Berisha.

Të Fundit