Personat në foto janë dy të rinjtë që u arrestuan në Tiranë pas një operacioni anti-drogë, ku u sekuestruan 1 kg e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë e cila nëse do shitej në treg kapte vlerën 270 mijë euro.
Klajdi Serjani, 24 vjeç dhe Euxhenjo Manushi 20 vjeç janë dy të rinjtë që u arrestuan në rrugën ‘Kastriotët’ te Kthesa e Kamzës, pas 6 muajsh ndjekjeje e përgjimesh.
Klajdi Serjani rezulton edhe nipi i Pajtim Serjanit, një personazh i njohur për blutë e Tiranës i dënuar më parë për gjobëvënie, i cili i ka shpëtuar një atentati në 2015, ndërsa njihet edhe si miku i Emiljano Shullazit.
Dy të arrestuarit janë kapur në afërsi të kthesës së Kamzës, pranë terminalit të autobusëve. Antidroga prej të paktën 6 muajsh i kishte në ndjekje dhe në përgjim dy të arrestuarit.
Kryesisht ata e shpërndanin kokainën në zonën e ish-Parkut, por dhe në zona të tjera të Tiranës. Të dy kanë qenë në të njëjtën makinë luksoze dhe sapo kanë ndaluar kanë dalë me çantën me drogë. Në këtë moment agjentet e Antidrogës kanë ndërhyrë dhe i kanë arrestuar.