Një shtetas shqiptar ka dalë para gjykatës britanike në Bolton, nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Shtetasi Alfred Pirra u arrestua në muajin shkurt të këtij viti, duke kultivuar lëndë narkotike me vlerë rreth 25 mijë paund. Nëpërmjet një videokonference, ai i tha gjykatësve se kishte punuar me qëllim për të shlyer borxhin tek trafikantët që e kishin futur atë në territorin britanik në mënyrë kontrabandë.
Më tej në pretendimet e tij, ai u shpreh se i kishin kërcënuar edhe familjen nëse nuk gjente paratë për të shlyer borxhin. Droga që iu kap 26-vjeçarit u gjet në dy dhomat e gjumit të një banese, ku ishin plotësuar të gjitha kushtet me një sistem të sofistikuar të ndriçimit dhe ventilimit. Në përfundim, shtetasi shqiptar u dënua me gjashtë muaj burg, kohë që ai tashmë e ka kryer në paraburgim.