U kap me 41.7 kg heroinë, 31-vjeçari: U nisa për porosinë e motrës, ma futën në makinë

Policia në Tiranë ka caktuar arrest me burg për Armando Papën nga Kurbini, i cili u kap me 41 kg e 700 gram heroinë të ndarë në 62 pako.

31-vjeçari deklaroi se nuk ishte në dijeni për lëndën narkotike dhe pretendon se ia kanë futur në makinë. Ai tha se po shkonte në Rinas për të dërguar një porosi të së motrës.

“Kisha marrë një porosi nga motra t’ia çoja në Rinas. Mi futën në makinë dhe më thanë “ik”. Kurohem në mënyrë të vazhdueshme, pasi vuaj nga epilepsia. Ngarkesën ma kanë futur në makinë pranë mbikalimit të Rinasit, më kanë ngatërruar,” – tregoi Papa.

Avokati ka kërkuar ti bëhet ekspertiza lëndës narkotike ndërkohë kërkoi burg me afat me pretendimin se vuan nga epilepsia.

Në operacion nuk kanë marrë pjesë shërbimet e Drejtorisë Vendore të Tiranës, ndërsa është finalizuar nga Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshëm. Ky seksion kishte informacione rreth ngarkesës së drogës, dhe nisur nga kjo, nisën mbajtjen nën vëzhgim të saj. Ajo i është dorëzuar Papës nga një person tjetër, i identifikuar si Roland Guzi, që kishte rolin e transportuesit, dhe shpallur në kërkim nga Policia.

Kjo e fundit, vendosi të mos ndërhynte deri në momentin e dorëzimit të ngarkesës, dhe në këto rrethana, ky shtetas, emrin e të cilit autoritetet e mbajnë të fshehtë, ka arritur të largohet. Ka dyshime se droga vinte nga Turqia dhe porositës i saj të jetë një eksponent i njohur i trafikut të narkotikëve në zonën e Kurbinit.

Droga me vlerë mbi gjysmë milion euro, është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. Droga transportohej me një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga Armando Papa, banues në Fushë-Kuqe të Kurbinit.

Të Fundit