U kap duke shitur drogë pranë shkollës 9-vjeçare në Durrës, arrestohet në flagrancë 41-vjeçari

Një 41-vjeçar nga Durrësi është arrestuar nga policia, pasi shiste lëndë narkotike pranë shkollave në këtë qytet.

Sipas Policisë, Elvis Babaliu u kap në flagrancë teksa ishte me 5 nxënës të një shkolle 9-vjeçare, të cilëve dyshohet se do t’iu shiste lëndë narkotike.

Policia sekuestroi lëndën narkotike, kanabis të ndarë në doza, gati për shitje, që iu gjet 41-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.

Njoftimi i Policisë Durrës:

Finalizohet nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Cleaning”.

Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike në doza, në afërsi të shkollave të qytetit të Durrësit.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 41-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohet lënda narkotike kanabis e ndarë në doza, gati për shitje, që iu gjet 41-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një rast të shitjes së dozave të kanabisit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cleaning”.

Gjatë operacionit, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 41 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj 41-vjeçarit, gjetën dhe sekuestruan disa doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis. Në momentin e kapjes, 41-vjecari ishte bashkë me 5 nxënës të një shkolle 9-vjeçare, të cilëve dyshohet se do t’iu shiste lëndë narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit