Vogëlushja 2-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila ra në shatërvanin në zonën e Kallitheas në Greqi pak ditë më parë, ndodhet ende në gjendje kritike për jetën. Mediat greke raportojnë se këto 24 orët në vijim janë vendimtare për gjendjen e saj, ndërsa mjekët shprehen optimistë, pasi ekzaminimi i trurit (EEG) tregoi se ajo nuk ka pësuar ënjtje cerebrale.
Ngjarja dramatike ndodhi kur vogëlushja, për arsye ende të paqarta, u largua nga vëmendja e prindërve të saj ndërsa ata ndodheshin në një kafene në shesh. Pak minuta më vonë, ajo u gjet brenda shatërvanit, ku besohet se ka qëndruar të paktën dhjetë minuta në ujë, duke krijuar rrezik serioz për jetën e saj.
Vajza u transportua menjëherë në spitalin e fëmijëve, ku mjekët dhe stafi mjekësor luftuan për rreth 40 minuta për ta rikthyer në jetë përmes reanimimit kardiopulmonar (KPR).
Sipas një raporti të ANT1, uji i ftohtë ku ndodhej vajza duket se ka vepruar mbrojtës, pasi nuk u shkaktua ënjtje në tru. Mjekët theksojnë se orët e ardhshme janë vendimtare për shëndetin e saj, pasi do të kuptohet nëse qëndrimi në ujë ka shkaktuar dëmtime të përhershme.
Ndërkohë, prindërit e saj, babai 26-vjeç dhe nëna 23-vjeç, janë shoqëruar në Departamentin e Hetimit të Krimeve në Kallithea. Kundrejt tyre po përgatitet çështje për neglizhencë ndaj një të mituri dhe pritet të paraqiten para prokurorit.



