Një ngjarje e rëndë ndodhi natën mes 5 dhe 6 tetorit në Sassuolo të Italisë, ku një 46-vjeçar shqiptar qëlloi me armë ndaj një 19-vjeçari ukrainas. Adoleshenti është djali i bashkëjetueses së shqiptarit, i cili ditën e ngjarjes ndërhyri për të mbrojtur nënën e tij e cila po dhunohej nga 46-vjeçari.
Ngjarja, e cila ndodhi rreth orës 3:40 të mëngjesit, filloi me një debat të dhunshëm mes autorit dhe gruas 39-vjeçare. Pas një përplasjeje fizike me gruan, burri nxori armën dhe qëlloi djalin, duke e goditur me një plumb mes qafës dhe klavikulës.
I riu u transportua me urgjencë në spitalin Niguarda në Milano, ku mbërriti në gjendje kritike për jetën. Pas trajtimit mjekësor, ai u shtrua në terapi intensive dhe aktualisht është në gjendje stabile, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa mjekët po vlerësojnë mundësinë e daljes nga intubimi.
Arma e përdorur për këtë akt të dhunshëm ishte një Beretta e kalibrit 84, e cila ishte vjedhur në Sassuolo në vitin 2013. Karabinierët e kompanisë Rho, që ishin në vendngjarje, sekuestruan armën dhe 40 gëzhoja të tjera të të njëjtit kalibër. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar rolin e të gjithë personave të involvuar në këtë incident.