Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e sotme në Durrës, ku një 18-vjeçar u mbyt në det, pasi u fut për të shpëtuar dy të mitur, njëri prej të cilëve ishte vëllai i tij.
Tragjedia ndodhi në plazhin e Pisht Pallës, ku i riu Anri Kashiku ishte futur për të shpëtuar vëllain e tij Ersian Kashiku , dhe shokun e tij 15-vjeçar që rrezikonte të mbytej. Bashkë me ta ishin edhe disa shokë nga Shën Vlashi i Durrësit, fshat që është shumë pranë vendit të ngjarjes.
Ata kanë shkuar paradite në det, por nga mesdita, rresth orës 12:00-13:00 deti ka filluar të trazohet dhe dy 15-vjeçarët kanë hasur vështirësi në ujë. Me t’i parë, Anri Kashiku është futur menjëherë në ujë për t’i shpëtuar.
I riu ka shkuar fillimisht me pedalone për të shpëtuar të miturit, por edhe mjeti filloi të mbytej. Në këtë moment Kashiku ka vendosur të mos e marrë mjetin, duke shkuar të shpëtojë vëllanë dhe shokun e tij me not. Ndërkohë, dallgët e kanë nxjerrë sërish pdealonen në breg.
18-vjeçari hero ia doli të shpëtonte dy të miturit që tashmë janë jashtë rrezikut për jetën.
Shpresat për ta gjetur të gjallë Kashikun u shuan pasi kaloi kohë dhe nga i riu nuk dukej asnjë shenjë. Policia njoftoi më vonë se kishte gjetur trupin e pajetë të 18-vjeçarit. Pas shumë minutash, trupi i pajetë i Anri Kashikut t është gjetur rreth 20 metra nga bregu i detit.
“Në vijim të informacionit paraprak për shtetasin A. K., rreth 18 vjeç, që dyshohet se u fut në det, për të shpëtuar dy fëmijë të mitur, ju bëjmë me dije se: Shërbimet e Policisë Kufitare kanë gjetur dhe kanë nxjerrë nga uji, trupin e pajetë të shtetasit A. K.”, njoftoi policia për ngjarjen.