Kryetari i Leposaviçit, Lulzim Hetemi, ka shkarkuar nga detyra nënkryetaren e komunës, Dragana Miletiç. Shkarkimi i saj ka ardhur pas publikimit të pamjeve ku ajo dukej teksa konsumonte lëndë narkotike brenda zyrës.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Prokuroria Themelore e cila ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e rastit e Miletiç që dyshohet se ka konsumuar drogë.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.