Policia e Tiranës ka arrestuar 33-vjeçaren e cila nxiste disa herë 12-vjeçarin që të konsumonte lëndë narkotike.
Rasti u denoncua nga emisioni Stop në Tv Klan dy ditë më parë. Seksioni i Narkotikëve në Policinë e Tiranës nisi hetimet për rastin dhe ndaloi 33-vjeçaren M.Ç. pasi ka nxitur 12-vjeçarin që të konsumonte hashash.
Vetë e ëma e djalit 12-vjeçar, tha për “Stop” se ajo me të vëllain kanë konstatuar një grua që u shet lëndë narkotike të miturve.
33-vjeçarja rezulton se është proceduar për shitje droge edhe gjatë operacionit kombëtar “Tempulli 1” dhe aktualisht është në proces gjykimi në Gjykatën e Tiranës, në gjendje të lirë.
NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:
Në lidhje me një rast të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, ju bëjmë me dije se:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas publikimit të rastit, ndaluan shtetasen M. Ç., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi ka shtytur një 12-vjeçar, për të konsumuar lëndë narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Kjo shtetase është proceduar dhe gjatë operacionit policor të koduar “Tempulli 1”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe aktualisht është në gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.