Ka ndërruar jetë këtë të mërkurë 60-vjeçari Alban Kukaviqi, i cili u plagos rëndë në muajin korrik nga helika e një mjeti lundrues në gjirin e Shën Janit në Karaburun.
Kukaviqi një ish-basketbollist u nda nga jeta në një spital në Turqi, teksa po i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale. Lajmi është bërë publik nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, institucion ku 60 vjeçari punonte prej 31 vitesh.
“Thellësisht të prekur nga humbja e parakohshme e kolegut tonë të dashur, Alban Kukaviqi, i cili në karrierën profesionale 31-vjeçare, pranë këtij institucioni, ka dhënë kontribut të çmuar në inspektimin e punës.
Stafi i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore i shpreh familjes ngushëllime të sinqerta!
Lamtumirë, i dashur koleg! Mënçuria, mirësia dhe humori jot do të na mungojë shumë! Përjetësisht në kujtimet tona!”, thuhet ne reagimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.