Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror që zhvillohet në Davos, i pranishëm në sesionin me temë “Mënyra se si do të udhëtojmë”, u shpreh se industria e turizmit është “kali i betejës” për zhvillimin e vendit.
Ai theksoi se turizmi ka sjell një zhvillim në të gjitha aspektet.
“Turizmi për ne është një industri që po e ndërtojmë dhe nga e cila po shohim një zhvillim të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet. Turizmi është kali ynë i betejës”, pohoi ai.
Rama ka folur dhe lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë në Arabinë Saudite, duke thënë se janë vende prej të cilave mund të mësojmë shumë.
Rama tha gjithashtu se Europa duhet të shkurtojë burokracitë, të jetë më e lirë dhe fleksible.
“Doja të shtoja diçka që mendoj se është e rëndësishme lidhur me këtë. Kemi disa avantazhe që jemi pak pas për tu rritur e zhvilluar nga ato që kanë bërë të tjerët. Për shembull, Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit janë një vend i jashtëzakonshëm prej të cilëve mund të mësosh.
Dhe sapo mëson për mënyrën sesi bëhen gjërat, mëson se përtej miteve dhe stereotipeve, ata po investojnë në mënyrë të jashtëzakonshme në dije, në arsimim në nivelin më të lartë. Kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë në një nivel tjetër. Po angazhojmë arkitektë të jashtëzakonshëm nga bota dhe po u japim jetë produkteve arkitekturore që nuk i gjen në rajon.
Kur e krahason me Europën, Europa është e bekuar nga e shkuar e lavdishme.
Problemi i Europës sot është të ndajë mendjen dhe të fillojë të shkurtojë burokracinë, ta bëjë kontinentin më të lirë dhe fleksibël”, tha Rama.