Turizmi jep shenja ngadalësimi, INSTAT: Vetëm 0.4% më shumë të huaj, shqiptarët ikin jashtë

Ajo çfarë kanë paralajmëruar bizneset turistike, u konfirmua me shifrat e Institutit të Statistikave.

Sektori i turizmit po jep shenja ngadalësimi.

Të dhënat që vijnë nga INSTAT, flasin se numri i të huajve që hynë në vendin tonë në muajin Korrik arriti në 1.825 mijë me një rritje vetëm 0.4% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ndërsa si 7 mujor shtetasit e huaj që kanë hyrë në vendin tonë arritën në 6.5 milion nga 6.3 që ishte kjo shifër një vit më parë. Rritja është 3.5 %.

Ata që po mungojnë në tregun turistik vendas, krahasuar me një vit më parë janë kryesisht kosovarët, të cilët tashmë lëvizin me viza të liberalizuara.

Ekspertët evidentojnë edhe çmimet e larta të hoteleve që ofrojnë bizneset shqiptare, të cilat në shumë raste nuk konsiderohen çmime të drejta në raport me shërbimin që ofrojnë.

Ndërkohë që sfidat e sektorit janë të mëdha, duke nisur nga trafiku, mungesa e transportit, pastërtia e plazheve etj.

Por turizmi në Shqipëri po “humbet” edhe kategorinë e vizitorit vendas.

Shifrat flasin se 782 mijë shqiptar apo 11% më shumë se korriku i vitit të kaluar kanë zgjedhur të pushojnë jashtë vendit.

Ndërsa si 7-mujor numri i shqiptarëve që kanë dalë jashtë territorit të vendit arriti në 4.7 milion nga 4.3 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja është 9%.

Rritja e ndjeshme e numrit të shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë është e ndikuar edhe nga lidhja e aeroportit me një sërë destinacionesh europiane dhe jo vetëm si dhe nga çmimet e biletave, të cilat nëse rezervohen në avancë janë të leverdishme.

Të Fundit