Ajo u hoq si turiste në Firence dhe më pas zaptoi shtëpinë që kishte rezervuar në Airbnb. Kjo është historia e pabesueshme që i ndodhi Marisë, pronares së një shtëpie në zonën Gavinana në Firence, e cila është mashtruar nga një grua 40-vjeçare, e cila tashmë prej tetë muajsh jeton ilegalisht në apartamentin e saj.
Një histori surreale (e ngjashme me atë që ndodhi në Padova) e denoncuar nga vetë Maria, e cila është e habitur sepse askush, as autoritetet e rendit dhe as drejtësia, nuk duket të jenë në gjendje të bëjnë diçka për t’i mundësuar asaj të marri shtëpinë. «Dua të marr shtëpinë time», thotë zonja e mashtruar.
Gjithçka ka filluar më 31 mars, kur mashtruesja, një fiorentinë, është paraqitur në apartament siç ishte rënë dakord me pronaren pas regjistrimit në platformën Airbnb.
«Siç ndodh gjithmonë kur vjen një klient i ri — tregon zonja Maria — kam shkuar ta njoh personalisht vajzën, e cila më tha se ishte një doktoreshë, kërkuese në San Raffaele të Milanos dhe ishte në Firence për disa ditë përpara se të transferohej përfundimisht në Milano. Ajo dukej shumë e sjellshme dhe kurrë nuk do ta kisha menduar atë që ndodhi më pas.»
Pas përfundimit të tre ditëve të akomodimit në Airbnb, gruaja doli nga apartamenti, por më pas u kthye dhe trokiti tek zonja Maria, sepse kishte nevojë për disa ditë më shumë. «Ishim në prill. Bëmë një marrëveshje private, pa kaluar përmes platformës dhe u dakordësuam për disa ditë të tjera akomodimi. Ajo më pagoi në dorë, duke thënë se kishte humbur dokumentet.»
Gjërat filluan të komplikohen dhe Maria, në këtë moment, filloi të dyshonte. Deri në momentin kur vajza kërkoi disa ditë shtesë akomodimi, deri më 18 maj. Ditë që iu dhanë, por që nuk u paguan, pavarësisht marrëveshjeve. «Më 18 maj ishte parashikuar ardhja e disa djemve nga Australia, por vajza nuk pranoi të largohej, madje thirri karabinierët duke thënë se po e shqetësoja.» Pas tetë muajsh, situata nuk ka ndryshuar. «Vajza jeton në apartament me djalin e saj 20-vjeçar, një qen dhe një mace, si të ishte shtëpia e saj.»
Maria ka bërë një denoncim në maj për shkelje të banesës dhe mashtrim, por nuk ka pasur asnjë rezultat. Ajo ka bërë një ankim urgjent në gjykatën civile për të çliruar apartamentin, por kërkesa u refuzua në tetor, kështu që është nisur një proces për të nxjerrë nga shtëpia një qiramarrës pa të drejtë, por seanca e parë është caktuar për në mars.
Në mes të gjithë kësaj, apartamenti është i zaptuar dhe ajo vazhdon të shpenzojë para, «dhe nuk di si të arrij deri në fund të muajit. Kishim ndërprerë shërbimet e dritave dhe gazit, por ajo, nuk di si ka arritur t’i lidhë përsëri ato në emrin tim.» Kështu, dje Maria shkoi në polici për të bërë denoncimin tjetër. «Dhe kur të arrijmë në fund të gjithë kësaj historie — thotë ajo — do të jem e detyruar ta shes shtëpinë për borxhet që kam grumbulluar.» Përkthyer nga Corriere della Sera
- +355 67 220 8888
- [email protected]