Presidentii SHBA-së, Donald Trump, lançoi zyrtarisht të mërkurën vizën e tij “kartë ari”, një rrugë e re për emigracionin që do t’u lejojë të huajve të paguajnë 1 milion dollarë për të përshpejtuar aplikimin e tyre për vizë, ose kompanitë të paguajnë 2 milion dollarë për të sponsorizuar një punëtor të huaj që duan të sjellin në SHBA, shkruan CCN.
“Është shumë emocionuese, për mua dhe për vendin, që sapo kemi lançuar ‘Kartën e Artë”, tha presidenti në Shtëpinë e Bardhë.
“Për një tarifë përpunimi prej 15,000 dollarësh nga DHS dhe, pas miratimit të të dhënave personale, një kontribut prej 1 milion dollarësh, merrni lejen e qëndrimit në SHBA në kohë rekord me Kartën Trump Gold”, thuhet në faqen zyrtare të internetit.
Sa kohë do të zgjasë procesi i ‘kartës së artë’?
Pasi të dorëzohen materialet e aplikimit, procesi do të zgjasë “javë” dhe do të përfshijë një intervistë, sipas faqes. Tarifa shtesë për Departamentin e Shtetit mund të zbatohet “në varësi të aplikantit.”
“Aplikanti do të duhet të marrë pjesë në një intervistë për vizën dhe të dorëzojë çdo dokument shtesë në kohë”, thuhet në uebsajt.
Faqja thekson se një aplikant i suksesshëm do të marrë statusin e banorit të përhershëm ligjor si mbajtës i një vize EB-1 ose EB-2, viza të bazuara në punësim, të dhëna për individë me aftësi “të jashtëzakonshme” ose “të veçanta”.
Çfarë është “Trump Gold Card”?
Programi, i njoftuar për herë të parë më herët gjatë vitit, ofron një vizë amerikane për aplikantët që mund të dëshmojnë se do t’i sjellin “përfitime të rëndësishme” SHBA-së, sipas faqes zyrtare të skemës.
Lançimi i kartës vjen në një kohë kur Uashingtoni po ashpërson politikat e imigracionit, përfshirë rritjen e tarifave të vizave të punës dhe deportimin e emigrantëve të paligjshëm.
Sipas programit, “Trump Gold Card” garanton marrjen e rezidencës amerikane në “kohë rekord” dhe kërkon një pagesë prej 1 milion dollarësh, e cila shërben si provë se aplikanti do të sjellë përfitime të mëdha ekonomike në vend.
Për bizneset që sponsorizojnë punonjës, tarifa është edhe më e lartë, 2 milionë dollarë, pa llogaritur kostot shtesë. Ndërkohë, shumë shpejt pritet të lançohet edhe versioni “Platinum”, i cili do të ofrojë përfitime të veçanta tatimore dhe do të kushtojë 5 milionë dollarë.
Përveç këtyre pagesave, mund të ketë tarifa të tjera shtesë në varësi të situatës së secilit aplikant. Çdo individ duhet gjithashtu të paguajë paraprakisht një tarifë të pakthyeshme prej 15 mijë dollarësh për përpunimin fillestar të aplikimit.




