Trump: Nuk i dua somalezët në SHBA, të kthehen për të rregulluar atdheun e tyre

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të martën nisi një sulm të ashpër ndaj migrantëve somalezë, duke i quajtur ata “mbeturina” dhe duke thënë se nuk i donte sepse “ata nuk i japin shumë rëndësi Shteteve të Bashkuara”.

Komentet përçmuese të Trump erdhën disa ditë pasi administrata e tij njoftoi se po ndalonte të gjitha vendimet për azil pas të shtënave me armë zjarri ndaj dy ushtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington.

“Nuk i dua ata në vendin tonë. Do të jem i sinqertë me ju, në rregull. Dikush do të thotë: ‘Oh, kjo nuk është politikisht korrekte’. Nuk më intereson. Nuk i dua ata në vendin tonë. Do të jem i sinqertë me ju, SHBA-të do të ndiqnin rrugën e gabuar nëse vazhdojmë të sjellim mbeturina në vendin tonë”, tha Trump të martën në një mbledhje të kabinetit.

Ndërkohë, i dyshuari në incidentin e javës së kaluar është me origjinë nga Afganistani, por presidenti amerikan e ka shfrytëzuar këtë moment për të ngritur pyetje në lidhje me emigrantët nga vende të tjera, përfshirë Somalinë.

Sipas raportimeve të medias amerikane, administrata Trump i ka dhënë udhëzime Zyrës Amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE) që të shënjestrojë emigrantët pa dokumente somalezë në Minneapolis dhe St. Paul, të njohur si Qytetet Binjake të Minesotës, dhe shtëpia e një prej komuniteteve më të mëdha somaleze në botë.

CBS raporton se qindra njerëz pritet të jenë në shënjestër kur të fillojë operacioni këtë javë.

Ai u bëri thirrje somalezëve të “kthehen aty nga kanë ardhur dhe ta rregullojnë atdheun e tyre”, duke kritikuar përfaqësuesen Ilhan Omar, një demokrate nga Minesota e cila emigroi nga Somalia në vitin 1995 si fëmijë.

Të Fundit