Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka mbrojtur vendimin e tij për t’i dhënë biznesmenit miliarder, Elon Musk, një rol të rëndësishëm në administratën e tij si kreu i Departamentit të Efiçiencës Qeveritare (DOGE), mes kritikave për ngrirjen e financimeve për USAID-in, që ndikoi në programet për ndihmë të huaj në mbarë botën.
Trump kufizoi punën e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar kur urdhëroi një ngrirje 90-ditore të shpenzimeve më 24 Janar. Ky vendim preku shumë biznese dhe organizata jofitimprurëse në Ukrainë, të cilat tani po përballen me vështirësi. Ai gjithashtu ndikoi në programet e ndihmës për njerëzit në Afganistan.
Ky vendim kishte bërë jehonë edhe në Kosovë, ku USAID-i thotë se ka investuar më shumë se 1 miliard Dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999. Trump dhe Musk e komentuan këtë vendim gjatë intervistës së tyre të parë të përbashkët televizive, e cila u transmetua më 18 Shkurt në Fox News, një media konservatore amerikane.
Trump tha se mori vendimin për të ngrirë financimin e USAID-it sepse paraardhësi i tij, ish-Presidenti Joe Biden, kishte shpenzuar më shumë sesa që duhej, përfshirë ndihmën e huaj që, sipas tij, nuk i shërbente interesave të SHBA-së dhe kishte rritur deficitin.
Që nga viti 2022, USAID-i ka ofruar miliarda Dollarë ndihmë humanitare, mbështetje për zhvillim dhe ndihmë të drejtpërdrejtë buxhetore për Ukrainën. Musk dhe Trump nuk u pyetën për pezullimin e ndihmës për programet në Ukrainë gjatë intervistës ose për përpjekjet diplomatike të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Intervista u përqendrua më shumë te marrëdhënia e Trumpit me Muskun, njeriun më të pasur në botë, dhe arsyet pse ai e zgjodhi atë për të drejtuar DOGE-n.
“Unë njoh shumë biznesmenë dhe ata nuk janë domosdoshmërisht njerëz të mirë”, tha Trumpi.
Musk është një person i madh që “dëshiron ta shohë vendin të ecë përpara”, i tha Trumpi intervistuesit të Fox News, Sean Hannity, i cili është mik i Presidentit.
Trump tha se DOGE ka luftuar shpërdorimet, mashtrimet dhe abuzimet në qeveri, duke kursyer tashmë miliona Dollarë për taksapaguesit amerikanë.
Që nga kthimi i Trumpit në postin e presidentit më 20 Janar, DOGE ka kaluar nga një departament në tjetrin, duke pushuar nga puna ose shkarkuar mijëra punonjës të qeverisë në një ndryshim të madh të administratës federale, të dizajnuar për të ulur kostot dhe për ta zvogëluar atë. Një listë e programeve që janë identifikuar, disa prej të cilave kushtonin qindra miliona dollarë, u shfaq në ekran gjatë intervistës së përbashkët.
Musk tha se ai mori këtë rol për ta reduktuar burokracinë dhe për ta parandaluar falimentimin e Shteteve të Bashkuara.
“Qëllimi është të shkurtojmë një trilion dollarë nga deficiti”, tha Musk, duke pretenduar se Trumpi “e gjeti deficitin në dy trilionë kur hyri në detyrë”.
Musk tha se taksapaguesi mesatar amerikan duhet të jetë “i tërbuar” nga mënyra se si janë shpenzuar paratë e tyre. Ai u shpreh se disa nga njerëzit në ekipin e tij të DOGE-s, që është kritikuar ashpër nga demokratët për veprimet e cilësuara si të paligjshme, janë punonjës federalë. Të tjerë janë inxhinierë softuerësh që mund të fitonin paga milionëshe, por në vend të kësaj kanë zgjedhur të punojnë për të.
Presidenti Trump tha se Musk thjesht po zbaton urdhrat e tij ekzekutivë dhe premtoi se programet tradicionale si Sigurimet Shoqërore dhe programet e sigurimeve shëndetësore të financuara nga qeveria, Medicare dhe Medicaid, “nuk do të preken”./REL