Trump kërcënon Medvedevin: Shiko punët e tua, president i dështuar!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e kërcënoi ish-liderin rus Dmitry Medvedev të “mendohet mirë për çfarë thotë” dhe e quajti atë një “president të dështuar”.

“Rusia dhe SHBA-të nuk kanë pothuajse asnjë marrëdhënie tregtare. Le ta mbajmë kështu dhe t’i themi Medvedevit, ish-presidentit të dështuar të Rusisë, i cili mendon se është ende president, të ketë kujdes me fjalët e tij. Ai po hyn në një zonë shumë të rrezikshme”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.

Zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurisë së Rusisë disa ditë më parë ironizoi ultimatumin e Trumpit ndaj Kremlinit, në të cilin presidenti amerikan shkurtoi afatin për Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe e kërcënoi atë me pasoja të rënda ekonomike.

“Trump po luan me ultimatume me Rusinë: 50 ditë ose 10. Ai duhet të mbajë mend dy gjëra: Rusia nuk është Izrael, madje as Iran. Çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij. Mos ndiqni rrugën e Joe-t të përgjumur!” tha Medvedev në platformën X, duke komentuar njoftimin e udhëheqësit amerikan për shkurtimin e afatit 50-ditor që kishte vendosur më parë për arritjen e një armëpushimi midis Moskës dhe Kievit.

Në një postim tjetër, Medvedev e quajti senatorin amerikan Lindsey Graham “gjysh”, pasi senatori republikan e këshilloi atë të “ulej në tryezën e negociatave”.

Të Fundit