Trump dhe Zelensky takim “kokë më kokë” brenda Selisë së Shenjtë, publikohen fotot

Në prag të funeralit të Papa Françeskut, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilluan një takim të papritur në ambientet e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan.

Imazhet e publikuara nga zyrtarë ukrainas tregojnë një bisedë intensive “kokë më kokë” mes dy liderëve, të ulur në dy karrige brenda bazilikës.

Pamjet e takimit u shpërndanë nga kreu i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak.

Ky takim shënon përballjen e parë të drejtpërdrejtë mes Trump dhe Zelensky që pas tensioneve të fundit publike dhe vjen në një moment kritik për konfliktin ruso-ukrainas. Ish-ambasadori britanik në Rusi, Sir Tony Brenton, komentoi për Sky Neës se ky takim mund të jetë një “hap i rëndësishëm drejt rifillimit të procesit të paqes”.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, takimi u cilësua si “shumë produktiv” dhe liderët ranë dakord të vijojnë bisedimet pas përfundimit të ceremonisë mortore.

Ndërkohë, negociatori i presidentit Trump për paqen, Steve Witkoff, zhvilloi një takim të premten në Kremlin me presidentin rus Vladimir Putin. Diskutimet, sipas ndihmësit të Kremlinit Yuri Ushakov, u fokusuan tek mundësitë për rifillimin e negociatave direkte mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërprera që prej fillimit të luftës në shkurt 2022.

Të Fundit