Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i është përgjigjur ndjekësve në rrjete sociale, mbi përplasjen që pati në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aludimeve se nuk po mbështet Ukrainën por presidentin rus, Vladimir Putin.
Në postimin e tij në “Truth social”, Trump u ka kërkuar amerikanëve që të përqendrohen më pak te presidenti rus dhe më shumë te sfidat e brendshme të vendit.
Këto komente vijnë pas takimit mes Trump dhe Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë, përplasje e cila shkaktoi reagime të ndryshme në opinionin publik amerikan lidhur me qasjen e administratës amerikane ndaj luftës.
Sipas një sondazhi të CNN, 50% e të anketuarve fajësojnë Trumpin për polemikat rreth takimit në Zyrën Ovale, ndërsa 42% mbajnë përgjegjës nënkryetarin J.D. Vance. Opsionet “Zelenskyy” dhe “të gjithë njësoj” morën secila nga 4% të votave.
Ndërkohë, në Vermont, ku Vance kishte planifikuar të kalonte pushimet në një resort skish, qindra protestues u mblodhën për ta pritur. Demonstruesit mbushën rrugët me pankarta në mbështetje të Ukrainës dhe mesazhe kritike ndaj Vance. Disa nga banderolat lexonin “Trump i shërben Putinit” dhe “Mbështesni Ukrainën”.
Sipas Fox Neës, fillimisht Vance kishte planifikuar të akomodohej në një hotel me katër yje pranë resortit, por më pas ndryshoi vendimin për vendqëndrim.
Protesta të tjera në mbështetje të Ukrainës janë zhvilluar dhe në shtete të tjera të SHBA-ve.