Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në takimin me një grup kompanish lider në SHBA dhe BE, tha se kriza energjetike nuk ka kursyer asnjë vend të botës duke ndikuar në tregjet globale. Ajo tha gjithashtu se qeveria shqiptare e ka parë krizën si prioritet përpara se të shfaqej.
Kriza nuk ka kursyer asnjë shtet dhe ka ndikuar në tregjet globale. Qeveria shqiptare kohë përpara se të shfaqej kjo krizë e ka para si prioritet të vendit tonë. Tani jemi në fazë ndërtimi të dy parqeve më të mëdha Fotovoltaike ndoshta më të mëdha në Ballkan. Ne tashmë po bëjmë realitet ëndrrat më të mëdha. Ambicia jonë për të kthyer vendin në faktor të sektorit energjetik ka krijuar hapësira për bashkëpunim.
Më tej ajo u shpreh se varësia nga gazi rus ka lënë të ekspozuar mjaft vende të rajonit dhe Europës. Sipas saj, duke shfrytëzuar pozicionin e Shqipërisë dhe vizionin e qeverisë në jemi të aftë të korrim frytet e punës tonë, si një kontributor në të gjithë rajonin pse jo edhe të Europës.
Por të gjitha këto projekte duan edhe partnerë serioz dhe ne jemi me fat që i kemi gjetur partner të tillë. Qeveria shqiptare ka arritur të ndërtojë një klimë biznesi serioze dhe transparente. Projekti ynë ku një nga komponentët kryesorë është lidhja e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë nëpërmjet tubacionit Fier -Vlorë ka tërhequr vëmendjen e aktorëve më të mëdhenj të sektorit të gazit. Deri para pak kohësh injektimi i gazit të lëngshëm nga Vlora në TAP do ishte pritur me shumë skepticizëm.