Në tregun e Fruta-Perimeve në Korçë, një tregtar që prej vitit 2004 punon një bar-kafe të vogël. Por, prej vitit 2015, pa dijeninë e tij, biznesi i vogël ishte tatuar në burim, sikur të ishte pjesë e një kategorie tjetër tatimore. Si rezultat, në sistemin e tatimeve ishte krijuar një debi prej 15 milionë lekësh të vjetra, e cila rëndonte padrejtësisht mbi qytetarin për katër vite rresht. Gazetari i “Stop”, përmes një kamere të fshehtë, verifikoi rastin pranë Drejtorisë së Tatimeve Korçë, ku u zbulua, se ndryshimi i kategorisë së biznesit, mund të ishte bërë gabimisht nga inspektori tatimor në vitin 2015. Më pas, denoncuesi dhe gazetari takuan drejtoreshën e Tatimeve në Korçë, e cila deklaroi, se nuk ishte në dijeni të problemit, por u tregua e gatshme të bashkëpunonte, duke premtuar zgjidhje të menjëhershme.Pas shumë verifikimeve dhe konsultimeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, drejtuesja lokale i fshiu debinë 15 milionë lekëshe qytetarit, duke i dhënë fund pas 10 vitesh një padrejtësie të shkaktuar nga një gabim njerëzor administrativ.



