Tregtarët e Tregut Industrial të Vlorës janë mbledhur në një protestë para Bashkisë së këtij qyteti pasditen e kësaj të hëne, pasi atyre u është dhënë afat tre ditë për t’u larguar nga ambientet aktuale. Mbyllja e tregut vjen për shkak të një investimi që Bashkia planifikon të realizojë në këtë zonë, ku, sipas njoftimit zyrtar, parashikohet ndërtimi i një tregu të ri.
Megjithatë, tregtarët shprehen të shqetësuar se projekti mund të mos realizohet, duke i lënë ata pa një hapësirë të përshtatshme për ushtrimin e aktivitetit të tyre. Si zgjidhje e përkohshme, atyre u është kërkuar të zhvendosen pranë zonës së Stacionit të Trenit, por sipas tregtarëve, kushtet atje janë edhe më të këqija dhe nuk plotësojnë standardet minimale të punës.
Në shenjë kundërshtimi, tregtarët kanë kërkuar sqarime dhe një zgjidhje konkrete. Kryetarja e Bashkisë u ka komunikuar se do të zhvillohet një takim me përfaqësuesit e tyre për të diskutuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje.
Tregtarët paralajmërojnë se, në rast se nuk u jepet një alternativë e pranueshme, protestat do të vijojnë. Aktualisht, një grup përfaqësuesish ndodhen në takim me kryetaren e Bashkisë për të diskutuar problematikën.



