Trasportonte emigrantë të paligjshëm për 500 euro, vendoset në pranga 29-vjeçari

Policia e Shkodrës këtë të dielë ka vendosur në pranga një 29-vjeçar për transportim të emigrantëve të paligjshëm kundrejt pagesës.

Sipas raportimeve nga policia, 29-vjeçari u kap në flagrancë, në fshatin Vukpalaj, duke transportuar me automjet 3 emigrantë, nga Sudani, të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.

Gjithashtu, ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë vepër penale.

Ndërkohë, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, telefoni dhe automjeti me të cilin 29-vjeçari transportonte emigrantët.

Në kuadër të operacionit të koduar “Borders 5”, u arrestua në flagrancë shtetasi O. Ç., 29 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, të cilët hynin ilegalisht në Shqipëri dhe më pas synonin të kalonin në Mal të Zi, duke i transportuar me automjet kundrejt pagesës prej 500 eurosh për person.

“Në momentin që iu bë shenjë për të ndaluar nga punonjësit e Policisë, ai tentoi të largohej, por pas ndjekjes për disa minuta, u bë ndalimi dhe shoqërimi i tij. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të kësaj gjykate, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit