Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference për mediat ditën e sotme ka folur edhe për çështjen e transportit publik, në kohën kur ditën e djeshme Shoqata e Transportit ka paralajmëruar ndërprerje të shërbimit nga 1 Marsi, për shkak të rritjes së çmimit të naftës.
Ibrahimaj tha se do të ulen në në tryezën e diskutimit me Shoqatën e Transportit, duke theksuar se do të merren në shqyrtim kërkesat e shoqatës.
“Do t’i marrim në shqyrtim kërkesat e shoqatës së transportuesve. Ne mendojmë e besojmë se rritja e çmimeve do të jetë tranzitore, por jo e qëndrueshme. Nuk mund të ndërhyjmë në nisma për efekt të luhatjes së çmimeve, që kanë ndodhur dhe më parë e do të ndodhin dhe në të ardhmen. Për sektorë të veçantë mund të diskutojmë mbi efektet që këto sektorë kanë nga rritja e çmimeve. Patjetër që do të kemi tryeza konsultative me sektorin përkatës, për të diskutuar mbi ecurinë e tyre, mbase dhe për të marrë një vendimmarrje. Sektori i transportit ka qenë i goditur fort nga pandemia. Çmimet e transportit kanë reflektuar goditjen që sektori ka pasur. Ministria e Financave ka mbajtur një qëndrim mbështetës, e ka stimuluar sektorin, duke e nxitur në mënyrë që të mos vuajë pasojat e krizave. Ne presim që çmimet të jenë kalimtare dhe jo të qëndrueshme”, theksoi ministrja Ibrahimaj.