Një vrasje tragjike u krye mbrëmë në Milano, Itali, ku Pamela Genini, një modele 29-vjeçare, u godit me thikë për vdekje nga ish-partneri i saj, biznesmeni 52-vjeçar Gianluca Soncin.
Sipas hetimeve, 52-vjeçari kishte shkuar në shtëpinë e Pamelës për ta bindur atë të rifillonte marrëdhënien. Kur ajo kuptoi se ai kishte qëllime të dhunshme dhe se jeta e saj mund të ishte në rrezik, ajo telefonoi një ish-partner të mëparshëm për ndihmë. Ky i fundit, menjëherë kontaktoi policinë. “E dija që ajo donte ta linte. Ajo kishte vendosur ta hiqte qafe,” tha ai më vonë gjatë hetimeve.
Kur policia kishte arritur në derën e shtëpisë, Pamela kishte thënë “erdhën” teksa po hapte derën. Megjithatë, para se të mund të hapte derën, Gianluca e tërhoqi zvarrë në ballkon dhe e vrau me dhjetëra plagë thike. Pas disa sekondash, kur policia arriti të hapte derën dhe hyri në apartament, ata gjetën trupin e pajetë të Pamelës dhe Soncin të plagosur në qafë, ndërsa ai po përpiqej të kryente vetëvrasje.
Ai u dërgua menjëherë në spital, dhe pasi i shpëtoi rrezikut të menjëhershëm për jetën, u mor në pyetje dhe u akuzua për femicid. Fqinjët, që kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve të mëparshme, raportuan se autori kishte shkaktuar probleme të mëparshme me viktimën, duke e kërcënuar dhe duke tentuar të hynte në apartamentin e saj.
Kush ishte Pamela Genini
Pamela ishte e lindur në Strozza, një fshat në provincën e Bergamos, nga një nënë ruse dhe një baba italian. Ajo udhëtoi nëpër botë për të ndjekur karrierën e saj si modele, duke punuar në qytete si Monte Carlo, Milano dhe Dubai. Ajo ishte gjithashtu e njohur për pjesëmarrjen e saj në shfaqjen “L’isola di Adamo ed Eva” (“Ishulli i Adamit dhe Evës”) kur ishte vetëm 19 vjeç, dhe pas kësaj vazhdoi të punonte si modele, dhe hapi një dyqan elektronik të markës “EP SheLux” së bashku me mikeshën e saj, Elisa Bortolotti.
Pamela përshkruhej gjithmonë si një vajzë e lumtur dhe me humor të shkëlqyer, shpesh fqinjët e saj e shihnin duke shëtitur qenin e saj, të cilin e donte shumë dhe nuk e linte kurrë pas dore.
Për lidhjen e saj me Gianluca Soncin, dihej se ata kishin qenë bashkë për rreth një vit. Verën e kaluar, ata kishin udhëtuar për pushime në ishullin e Elbës, ku pas një grindjeje të dhunshme, Pamela kishte vendosur të largohej, duke u ndarë nga ai, pasi ai e kërcënoi se do të vriste qenin e saj.
Një ngjarje e ngjashme kishte ndodhur edhe gjashtë muaj më parë, kur fqinjët dëshmuan për një tjetër grindje të dhunshme mes çiftit. Megjithatë, deri në momentin e tragjedisë, nuk ishin ngritur akuza zyrtare ndaj Gianlucës për dhunë ose kërcënime.
Ky akt i tmerrshëm i femicidit ka tronditur qytetin e Milanos dhe ka nxitur shqetësim dhe indinjatë për dhunën ndaj grave.
🔵#Milano Femmicidio in zona Gorla. Una donna di 29 anni è stata accoltellata sul terrazzo dal compagno di 52 anni che poi ha tentato il suicidio. Ad allertare la polizia l’ex fidanzato chiamato dalla vittima e i vicini che hanno assistito alla scena. pic.twitter.com/Mr4WncKYp4
— Rai Radio1 (@Radio1Rai) October 15, 2025