Bilanc tragjik nga tërmeti shkatërrimtar në vend. Arrin në 14 numri i viktimave nga lëkundjet e forta sizmike me intensitet 6.4 ballë, që goditën në orët e para të mëngjesit vendin tonë, me epiqendër bregdetin e Durrësit. Ministria e Mbrojtjes konfirmon se viktimat ishin banorë të qytetit të Durrësit, Kurbinit, Lezhës dhe Thumanës.
Emergjencat Civile bëjnë të ditur se dy trupa të pajetë janë nxjerrë nga rrënojat e Vilës Palma në Durrës, e cila u shemb nga lëkundjet e fuqishme sizmike.
Disa orë më pas u nxor një tjetër i pajetë, i seksit mashkull, nga gërmadhat e hotel “Miramare”. Më herët, trupi i pajetë i një burri u nxor nga rrënojat e pallatit 6 katësh, që u shemb në lagjen nr.18 të qytetit bregdetar. Tragjedia thellohet me vdekjen e vogëlusheje 10-vjeçare në banesën e saj në Thumanë.
Viktimat e tjera janë dy gra në Thumanë, të cilat u nxorën pa shenja jete nga rrënojat e një ndërtese të shembur. Një burrë në Kurbin u hodh nga ballkoni i katit të dytë të banesës, gjatë kohës kur vijonin lëkundjet e forta sizmike dhe për rrjedhojë humbi jetën.
Edhe një person në afërsi të Lezhës humbi jetën. Ai ishte duke udhëtuar me një automjet kur prej termetit humbi kontrollin dhe u aksidentua. Nga lekundja e fortë u ça asfalti. Në total, shtatë persona kanë humbur jetën në Durrës, 5 në Thumanë, një në Kurbin dhe një në Lezhë.
Tre pallate u shembën në Thumanë nga tërmeti i fushishëm. Në Durrës, u shemb një pallat gjashtë katësh, dy hotele dhe dy shtëpi private, duke zënë poshtë njerëz. Në zonën e Kënetës sot u shemb një vilë e dëmtuar rëndë nga tërmeti, duke zënë poshtë edhe shtatë anëtarë të familjes, të cilët janë zënë nga rrënojat.