Tragjedi në Pistoia në Itali. Për familjen Reçi jeta nuk do të jetë më njësoj. Djali i tyre, Danieli, 18 vjeç, humbi jetën në gjumë në shtratin e tij.
I riu nuk ishte zgjuar mëngjesin e mërkurës. Për këtë arsye ka shkuar mamaja për ta ngritur. Por djali i saj nuk merrte më frymë dhe zemra i kishte pushuar së rrahuri.
Në vendin e ngjarjes arritën mjekët dhe karabinierët, por nuk mund të bënin asgjë. Trupi i pajetë i Danielit është dërguar në spital ku pritet që të kryhet një autopsi për të zbuluar shkaqet e vdekjes.
Daniel Reçi e kishte lënë atdheun për një të ardhme më të mirë. Ai kishte shkuar në Itali majin e vitit të kaluar kur ishte vetëm 17 vjeç. Për këtë arsye ishte bërë pjesë në disa projekte në San Domenico për integrimin shoqëror të emigrantëve.
Ai po vazhdonte disa kurse për gjuhën italiane. Por jo vetëm. Në shkollën e tij kishte marrë disa kurse për arte marciale pasi ishte fans i sportit taekwondo.
Më e trishtë është fakti se muajt e fundit ai po përpiqej që të fitonte pak pavarësi ekonomike, duke gjetur një punë për vete.
Pasi kishte mbushur moshën madhore në Tetor të 2022-shit, atij iu bashkuan anëtarët e tjerë të familjes. Për këtë arsye prej Dhjetorit jetonte në një shtëpi në Pistoia bashkë me mamanë dhe vëllanë e vogël.
Lajmi i trishtë u shpërnda menjëherë në komunitetin shqiptar në Pistoia, sidomos mes miqve të Danielit, që kanë shprehur dhimbjen e thellë për këtë tragjedi.