Tragjedia me 10 të vrarë në Austri, mes viktimave një 15-vjeçare nga Kosova

Lea Bajrami, 15 vjeç, me origjinë nga Kosova mbeti e vrarë nga sulmi në një shkollë në Graz të Austrisë ditën e djeshme.

Një 21-vjeçar, hapi zjarr me një pistoletë dhe një pushkë në dy klasa dhe zona të tjera të shkollës duke vrarë 10 persona.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar Muhabi Bajrami, familjar i të ndjerës, i cili përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për humbjen e mbesës së tij, duke e përshkruar këtë moment si jashtëzakonisht të rëndë për familjen.

“Me zemër të thyer dhe me dhimbje të madhe njoftojmë familjarët, miqtë dhe të afërmit se mbesa jonë, Lea Ilir Bajrami, humbi jetën tragjikisht në sulmin e ndodhur në Graz të Austrisë. Lutemi për shpirtin e saj dhe shprehim falënderime për të gjithë ata që ndajnë dhimbjen tonë në këto çaste të vështira”, shkroi Bajrami.

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, konfirmoi se autori i sulmit ishte një 21-vjeçar, ish-nxënës i shkollës, i cili e kishte lënë shkollën pa e përfunduar.

Pas kryerjes së masakrës, ai kreu vetëvrasje në vendin e ngjarjes.

Përveç viktimave, 12 persona të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të sulmit janë ende në zhvillim.

Kancelari austriak Christian Stocker ka shpallur tre ditë zie kombëtare.

Lidhur me këtë tragjedi ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Shkollat duhet të jenë vend ku fëmijët ëndërrojnë, mësojnë e rriten, e jo vend i dhunës dhe terrorit,” shkroi ajo.

Të Fundit