Tetë persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e Tiranës këtë të premte.
Ata dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen.
Sipas njoftimit zyrtar, janë sekuestruar armë zjarri, mbi 2000 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.
Ndërkohë, gjatë periudhës hetimore, 2 persona të tjerë janë kapur në flagrancë më 01 Prill me 2 armë zjarri.
Të arrestuarit: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu.
Gjithashtu dy personat e arrestuar më herët janë identifikuar si Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës hetimore dhe operacionale për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve, pas një hetimi 5-mujor me metoda proaktive, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Puzzle”.
Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit: E. T., 32 vjeç, L. H., 21 vjeç, F. B., 26 vjeç, R. H., 21 vjeç, V. M., 23 vjeç, K. F., 18 vjeç, G. M., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht në Kosovë por dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, i sillnin ato në Tiranë, për t’i shitur.
Gjatë periudhës hetimore, në kuadër të këtij procedimi, më datë 01.04.2025, janë ndaluar shtetasit A. P dhe K. P., pasi u kapën në flagrancë me 2 armë zjarri, të dyshuara të trafikuara nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. F, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 2077 fara cannabisi.
Punohet për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës po bashkëpunojnë intensivisht me autoritet policore kosovare për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.