Kryeministri Edi Rama foli gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për Ministrinë e Shëndetësisë.
Ai nuk la pa përmendur mjekët dhe infermierët e larguar nga Shqipëria, duke u shprehur se “bluzat e bardha” po kthehen në vendin tonë edhe pse gjejnë kushte të tjera në spitale dhe klinika.
Rama preku edhe çështjen e ryshfetit duke u shprehur se “Tirja”, rasti i sanitares se denoncuar nga emisioni “Stop”, ishte pjesë e atij mjedisi, por theksoi se nuk janë të gjithë njësoj dhe ka një përmirësim të shërbimeve.
“Kemi një numër të konsiderueshëm mjekësh dhe infermierësh që janë në listë pritje. Kriza që patëm në fazën e parë ishte mbyllja e specializimeve, tani kjo është e tejkaluar. Kam pasur mundësinë të bisedoj me disa syresh që janë kthyer, dhe është e qartë për çfarë kthehen, për një ambicie profesionale, për një lidhje me vendin, por edhe për një arsye tjetër, i shohin këtu kushtet e punës me të cilat mund të bëjnë punën e tyre. Nuk ndjejnë që po ikin nga një klinikë apo spital ku punohet me instrumenta mjekësorë të fjalës së fundit dhe po vijnë këtu të kapin ato pincat e dashurisë shqiptaro-kineze. Ndërkohë që ju po më ndiqni mua, unë po shahem në “Facebook”. Se ju kur shaheni, shaheni në kolektiv. I kemi ndarë punët, edhe unë, edhe ju edhe ata që na shajnë. Deri tani më rezulton se të sharat na bëhen shëndet.
Kemi një urgjencë kombëtare në standard evropian. Sot nuk del dot njeri të thotë që i telefonova Urgjencës edhe nuk më erdhi. Duhet përmendur që mos marrim mësysh që Tirja doli nga ky mjedis. Siç nuk diskutohet që Tirja ishte meteor që ra na qielli, por i takon një kategorie të caktuar që është brenda sistemit. Por shumica dërmuese e mjekëve dhe infermierëve nuk i përkasin asaj kategorie, dhe e dyta ajo kategori do vijë vit pas viti duke u tkurrur. Por duhet të jetë e qartë për qytetarët që shajnë në bllok nuk janë të gjithë njësoj”,-tha Rama.