Policia e Tiranës ka arrestuar këtë të premte një shtetas turk, i cili kryente evazion fiskal dhe shërbente produkte të skaduara, në një klinikë dentare në zonën e “Don Bosko”.
Në kudër të operacionit “Dentistry”, është arrestuar administratori i klinikës, shtetasi turk Adnan Yizdizoglu 59 vjeç, dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 3 punonjës të klinikës, konkretisht koordinatorja, shtetasja B. K., 35 vjeçe, si dhe 2 laborantët, shtetasit L. S., 21 vjeçe dhe A. A., 42 vjeç.
Policia ka bërë me dije se: “Gjatë kontrollit në ambientet e klinikës u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 300 shishe me produkte, shumica të skaduara, me vlerë rreth 100 000 euro, për të cilat nuk disponoheshin fatura zhdoganimi, si dhe mandate të pafiskalizuara. Vijojnë hetimet për të përcaktuar dëmin ekonomik që i është shkaktuar shtetit, si pasojë e shmangies së detyrimeve tatimore nga ky subjekt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.