Tiranë/ Vidhte të dhënat bankare nga qytetarët, në pranga 23-vjeçari nga Franca

Policia ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “MISLEADING MESSAGES”, duke goditur një skemë mashtrimi kibernetik që përfshinte dërgimin e linkeve të rreme për të vjedhur të dhëna bankare nga qytetarët shqiptarë.

Policia ka bërë të mundur arrestimin e një 23-vjeçari nga Franca, Adem Said i cili kishte ardhur në Tiranë për të tërhequr paratë e fituara përmes mashtrimit.

Ai u kap në një bankomat në Tiranë, teksa po tërhiqte para nga një llogari bankare që kishte aksesuar nëpërmjet linkut të dërguar.

Ky mashtrim ka përfshirë dërgimin e mesazheve të rreme nëpërmjet celularëve, ku qytetarët kërkoheshin të plotësonin të dhëna bankare personale, që më pas përdorej për të tërhequr para nga llogaritë e tyre përmes bankomatëve dhe aplikacioneve bankare. Sipas informacionit të policisë, qindra shtetas shqiptarë janë viktima të kësaj skeme mashtrimi.

Policia ka sekuestruar 3 celularë, ndërkohë hetimet vijojnë për identifikimin dhe procedimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.

Të Fundit