Tiranë, tritol me dron në ballkon, apartamenti frekuentohej nga i “forti’ i Vlorës

Një sasi tritoli shpërtheu në ballkonin e katit të 9 të një apartamenti në Tiranë në mësnatë që frekuentohej nga i “forti” i Vlorës, Bernard Sinomati.

Fatmirësisht nuk ka të lënduar ndërsa hetuesit dyshojnë se lënda eksplozive është hedhur me anë të një droni.

Një shpërthim i fuqishëm alarmoi Policinë e Tiranës mesnatën e së shtunës. Në rrugën “Sadik Petrela” në katin e 9-të të një pallati, rreth orës 23:45 minuta, në ballkonin e një apartamenti të marrë me qira nga një shtetase, shpërtheu një sasi eksplozivi.

Me ndihmën e forcave zjarrëfikëse, shërbimet e Policisë hapën me forcë derën pasi në banesë nuk kishte njeri dhe konstatuan të dëmtuar xhamin dhe vetratën e ballkonit, nga lënda plasëse.

Nisur nga rrethanat e ngjarjes dhe informacionet e grumbulluara, ku tritoli ka shpërthyer në katin e 9, hetuesit kanë ngritur dyshime se për hedhjen e eksplozivit në ballkon është përdorur një dron.

Dyshimet janë shtuar edhe më shumë pasi policia ka mësuar se banesa frekuentohej nga Bernard Sinomati, një emër i njohur për policinë i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe i dënuar në Belgjikë. Bernard Sinomati është vëllai i Sokol Sinamatit, ish anëtarit të bandës së “Gaxhait ”, dhe xhaxhai i Gëzim Sinomatit, 22 vjeçarit që u ekzekutua me snajper në janar të këtij viti në lagjen “Hajro Çakerri” në vlorë.

Po ashtu në janar të vitit 2022 atij i është vendosur eksploziv në automjetin e tij të parkuar në qytetin bregdetar.

Hetuesit po ashtu po hetojnë edhe pistën nëse sasia e tritolit që shpërtheu mund të jetë poseduar nga personat që frekuentonin apartamentin dhe ka shpërthyer aksidentalisht ose është inskenuar.

Të Fundit