Policia e Tiranës këtë të premte ka vënë në pranga dy persona të cilët kishin përshtatur një ambient në banesën e tyre, për përgatitjen e tabletave të lëndës narkotike ekstazi (MDMA), me qëllim shitjen.
Sipas raportimeve nga policia, në pranga kanë rënë shtetasit Elvis Lezo, 42 vjeç dhe Bujar Lezo, 59 vjeç, banues në Tiranë, të cilët dyshohet se janë të afërm. Ndërkohë, nga operacioni janë sekuestruar 2200 tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi (MDMA).
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera për disa javë, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të një procedimi penal në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Blue Punisher”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç, banues në Tiranë (të afërm).
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në banesën e këtyre shtetasve, në rrugën “Ali Demi”, ku kanë konstatuar një ambient që ata e kishin përshtatur për përgatitjen e tabletave të lëndës narkotike ekstazi (MDMA), me qëllim shitjen në lokalet e natës.
Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2200 tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi (MDMA) dhe 2 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.



