Policia e Tiranës këtë të hënë ka arrestuar në flagrancë një 35-vjeçar, i cili, në kundërshtim me moratoriumin e gjuetisë, ishte duke gjuajtur shpendë te liqeni i Prushit, në Tiranë.
Në vijim të veprimeve procedurale në lidhje me këtë paligjshmëri, u identifikua dhe u arrestua autori, shtetasi N. M., 35 vjeç, banues në fshatin Prush, për veprën penale “Dëmtimi i specieve të vogla të florës dhe faunës së egër”.
Sipas raportimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e gjahut dhe municionet.
Ndërkohë, kontrollet kundër gjuetisë së paligjshme vijojnë në gjithë territorin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.