“Tifozat Kuq e Zi” kanë reaguar ndaj masave të marra gjatë ndeshjes miqësore të Kombëtares Shqiptare, ku simbolet dhe flamujt e UÇK janë ndaluar brenda stadiumit.
Në një postim në faqen zyrtare të tifogrupit
thuhet se gjatë ndeshjes u konfiskuan bluza dhe shaje me mbishkrime si “O sa mirë me qenë Shqiptar!”, “Prishtina”, “Kosova” dhe “Shkëndija”, ndërsa simboli i UÇK-së u konsiderua si një rrezik dhe u ndalua me forcë.
“Për pak flamuj të futur brenda pamë skena qesharake e përçmuese: mbi 20 policë u vërsulën të zhveshin një djalë që mbante në gjoks shqiponjën dykrenare dhe stemën e UÇK-së. Ky “krim” nuk ndalohet me ligj në asnjë qytet të Shqipërisë – pse stadiumi qenka më i veçantë? Në stadiumin tonë, ku duhet t’i këndohet vendit dhe identitetit tonë, simbolet tona kombëtare u trajtuan si një rrezik.
Sa për simbolin e UÇK-së, ua përsërisim: ne, Tifozat Kuq e Zi, marrim përsipër çdo gjobë që mund t’ju vendoset për të. Dërgoni faturat që sot. Pra, flamurin e UÇK-së nuk do ta ndalni kurrë! As ju, as miqtë tuaj në Beograd, e askush në këtë planet. E kemi shpalosur në çdo ndeshje të Kombëtares tash e 21 vite, dhe njëjtë do të veprojmë edhe nesër në Riga, e në ndeshjet e radhës. Të shtunën u futëm në stadium vetëm për këtë gjë. Pasi arritëm qëllimin dhe shpalosëm flamurin e UÇK-së, lëshuam përsëri stadiumin. Ju sfidojmë të na ndalni”, thuhet mes të tjerash në reagimin e tifogrupit.