“Ti qenke dashnori i kësaj”, si nisi “lufta” për një femër në Kavajë.

Ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme në Kavajë nga ku mbeti i vrarë Dritan Haxholli ndodhi për shkaqe xhelozie.

Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur në qafë shefi i sigurisë së Brendshme në burgun e Durrësit, Bledar Toçi.  Ai nuk ka mundur të japë dëshminë e tij ditën e djeshme për shkak të gjendjes së rënduar si pasojë e plumbit tejshpues që kishte marrë në qafë. Pas ngjarjes ai është transportuar në spital me makinën e tij ndërsa tre të tjerët që ndodheshin në banesë janë larguar prej aty. Sot ai ka dhënë dëshminë e tij ku sqaron dinamikën e ngjarjes.

Sipas Bledar Toçit, ai ishte telefonuar nga Marsida Qatja e cila i ishte ankuar për shqetësimet që i sillte Dritan Haxholli. Ai kishte shkuar mbrëmjen e së mërkurës në shtëpinë e saj sëbashku me Xhuljo Biturkun dhe Ermir Çelën, siç thotë ai për ti bërë presion Haxhollit. Kur ky i fundit ka mbërritur në banesë pak pas mesnate ka goditur me forcë derën. Toçi deklaron se ishte ai që i hapi derën dhe në atë moment Haxholli i ka thënë “Ti qenke dashnori i kësaj prandaj ajo u nda nga mua”. Pas kësaj ai hapi zjarr me kallashnikov ndaj Toçit i cili reagoi menjëherë. Në dëshminë e tij thuhet se ai qëlloi vetëm një herë.

“Marsida Qatja më telefonoi pasdite dhe më tha se Dritan Haxholli e bezdiste dhe e përndiqte dhe unë i thashë se do e ndihmoja.

Kam shkuar disa herë tek shtëpia e saj gjatë së mërkurës. Marsida më tha se Dritani vjen zakonisht natën aty dhe për këtë arsye unë qëndrova aty në mbrëmje së bashku me Xhuljo Biturkun dhe Ermir Çelën.

I thamë Marsidës se do i bënim ne presion Dritanit që të mos e shqetësonte më. Rreth mesnatës kur ai erdhi dhe me forcë po i binte derës dhe po kërcënonte shkova unë dhe ia hapa derën ndërsa Marsida me 2 shokët ishin në sallon. Sapo ia hapa derën Dritani me tha:’Ti qenke dashnori i kësaj prandaj ajo u nda nga mua’ dhe hapi zjarr direkt me automatik pa më lënë kohë që unë ta sqaroja. Menjëherë sa kam parë kallashnikovin që po e përgatiste për qitje jam shmangur por nga breshëria u plagosa. Për vetëmbrojtje reagova dhe qëllova vetëm një herë”, ka deklaruar Bledar Toçi.

Megjithatë policia njoftoi ditën e djeshme se kishte gjetur në vendngjarje 16 gëzhoja të kalibrit 9 mm që i përkasin pistoletës tip “Glock” dhe një gëzhojë mod 56 kalibri 7.62 mm që i përket kallashnikovit të Haxhollit. Pra nga këqyrja e vendngjarjes nga ana e policisë rezulton se Dritan Haxholli ka qëlluar vetëm me një plumb, pasi i është bllokuar kallashnikovi ndërsa Toçi ka zbrazur të gjithë krehrin me plumba, 16 nga 17 fishekë që mban pistoleta e tij e shërbimit.

Njeriu që u kthye në shkakun e ngjarjes së rëndë, Marsida Qatja gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se prej kohësh ka pasur marrëdhënie me Dritan Haxhollin.  Lidhja ishte ndërprerë por pavarësisht ndarjes, sipas 30-vjeçares, muajin e fundit Dritan Haxholli, ka shkuar disa herë tek banesa e saj dhe ka insistuar për të kryer marrëdhënie seksuale me të.

Përplasja me armë ka ndodhur brenda shtëpisë 67 metra katror dhe në prezencë të fëmijës 2 vjeçar të Marsida Qatjas, që fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë lëndim dhe ndodhej në gjumë në katin e dytë të apartamentit.

Në vazhdën e veprimeve hetimore policia bëri kontroll në banesën e Bledar Toçit në lagjen 2 në Kavajë ku u gjetën 7 doza kokaine doza me sasi afërsisht 4 gramë që pretendohet se i përkasin Benard Toçit, vëllait të Bledar Toçit. Policia ka ngritur dyshime se lënda narkotike shpërndahej në ambientet e brendshme të burgut të Durrësit dhe në lokalet e natës së Kavajës.

Të Fundit