Kryeministri Edi Rama në një takim elektoral me vajzat e Tiranës bëri thirrje se gratë dh vajzat në 25 prill duhet të marrin fatin e votës në dorë, ndërkohë që sqaroi dhe deklaratën e tij për bashkëpunim me Bashën.
Sipas tij një vajzë dhe një grua duke pasur peshën dhe përgjegjësinë që ka, e kupton më së miri se nëse votohet për Partinë Demokratike, siç u shpreh dhe Rama, Shqipëria nuk do të mund të bëjë para për në një majë që duhet shumë punë për ta arritur.
“Kush del dhe thotë lek, lek , lek, thjeshtë kërkon të manipulojë shpirtin e lodhur, të trazhuar, shpirtin e mërzitur, ndërsa kush thotë punë, punë, punë, kërkon ta mobilizojë, motivojë, kërkon ta cojë në betejë, sepse Shqipëria duhet të vazhdojë betejën,” – u shpreh Rama.
Kryeministri përmendi sërish bashkëpunimin me Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike, si një çështje që është komentuar jo ashtu si ai e ka përcjellë.
Rama sqaroi se thirrja për t’u bashkuar është një domosdoshmëri për të ecur para dhe jo për t’u përballur gjithnjë me një politikë që është si “mina me sahat”.
“Nuk është një thirrje për të bërë një qeveri bashkë siç bëri Saliu qeveri me Liken nga halli kur s’kishte votat apo siç ka ndodhur bashkimi i partive për interesa të tyre. S’ka lidhje fare. Ne nuk kemi nevojë dhe as nuk do të jemi në nevojë për të kërkuar vota sepse ne në 25 prill do të marrim shumicën e votave absolute,” – u shpreh kryeministri duke theksuar se thirrja e tij lidhet drejtpërdrejt me krijimin e një politike të denjë për shqiptarët.