Kryedemokrati, Sali Berisha, nuk u paraqit sot, 14 nëntor, në Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) për çështjen e “21 janarit”.
Siç bëhet me dije fletëthirrja për ish-kryeministrin i është dërguar në tre banesa, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit.
Mësohet se fletëthirrja e dërguar në Kuvend për Berishën, nuk është tërhequr nga grupi i PD-së.
Jo më larg se dje, 13 nëntor, Berisha mohoi t’i ketë mbërritur thirrja nga ana e SPAK-ut.
“I jam përgjigjur gjithë jetën time çdo thirrje të drejtësisë që ma ka ardhur dhe do t’i përgjigjem, por ka vetëm një kusht: që unë të marr thirrjen”, tha ai…
Kujtojmë se për të njëjtën çështje ishte në SPAK më 30 tetor, ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit nuk dha detaje për gazetarët me argumentin se “ligjërisht duhet të respektojë sekretin hetimor”. Megjithatë, siç është raportuar më herët, ai ka dhënë shpjegime lidhur me tragjedinë e 21 janarit 2011, kohë kur Basha ishte ministër i Brendshëm.
Kujtojmë se më 12 mars 2024, pas kërkesës së familjarëve të viktimave, Gjykata e Lartë vendosi që dosja e “21 janarit” t’i kalonte SPAK-ut.
Për Gjykatën e Lartë, SPAK është institucioni që duhet të japë përgjigje nëse ka vend për hetime ndaj të kallëzuarve, ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-drejtuesve të lartë të Gardës.
Në 21 janar të vitit 2011, gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën nga qeveria socialiste “Dëshmorë të Atdheut”.



