Theu me sëpatë dyert e 2 magazinave, vodhi materiale ndërtimi, në pranga 28-vjeçari

Është vënë në pranga nga policia e Durrësit këtë të mërkurë një 28-vjeçar, pasi ditën e martë në orët e para të mëngjesit dyshohet se theu me sëpatë, dyert e 2 magazinave në lagjen nr. 5, dhe vodhi materiale ndërtimi me vlerë rreth 150 000 lekë.

Sipas raportimeve,  28-vjeçari u kap në flagrancë këtë të mërkurë, gjatë tentativës për të vjedhur sërish me thyerje, njërën prej magazinave ku kishte vjedhur një natë më parë.

“Në vijim të veprimeve hetimoro-procedurale të kryera pas kallëzimeve të 2 shtetasve, se në orët e para të mëngjesit të datës 04.11.2025, në magazinat e tyre, në lagjen nr. 5 (në të cilat shiteshin materiale ndërtimi), ishte vjedhur me thyerje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan vënien në pranga të autorit të këtyre rasteve, shtetasin B. R., 28 vjeç, banues në Durrës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, po punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit